Autoritetet në Kili kanë ndërmarrë një operacion të veçantë të sigurisë për të transferuar nëntë të burgosur të njohur si më të rrezikshmit në vend drejt burgut të sigurisë së lartë La Laguna, që ndodhet në Talca. Në mesin e tyre ndodhet edhe shqiptari Viktor Gjini, i cili është dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Ky aksion, me emër të koduar “Cancerbero”, është organizuar nga xhandarmëria kiliane, me qëllim që individë kryesorë të grupeve kriminale të nxirreshin nga burgjet e Santiago-s dhe të grumbulloheshin në një ambient të dedikuar të sigurisë maksimale.
Viktor Gjini, 58 vjeç, figuron në listën e të transferuarve. Ai është dënuar me dhjetë vite burg për trafikimin e rreth 98 kilogramëve kokainë, në një çështje që autoritetet kiliane e lidhin me tentativën për të ngritur një rrjet të ri të shpërndarjes së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Hetimet e zhvilluara në Kili tregojnë se Gjini kishte udhëtuar për në vend për të organizuar transportimin e drogës nëpërmjet porteve lokale. Sasia e sekuestruar ishte planifikuar të nisej drejt Roterdamit në Holandë.
Gjatë operacionit hetimor, një agjent i infiltruar i Marinës kiliane u përdor për të mbledhur prova mbi bashkëpunëtoret e grupit. Vendimi gjyqësor rezulton se Gjini i kishte propozuar agjentit 20 mijë dollarë në këmbim të ndihmës për të fshehur rreth 100 kilogramë kokainë në një kontejner që do të transportohej nga Kili në Europë.
Gjini u dënua me dhjetë vite heqje lirie nga Gjykata Penale e Viña del Mar, dënim që u konfirmua edhe nga apeli.
Mediat në Kili e kanë përmendur rastin e tij si ilustrim të përpjekjeve të grupeve kriminale shqiptare për të zgjeruar rrjetet e trafikimit të kokainës me destinacion Europën.
Për një periudhë të gjatë kohore, Gjini ka qëndruar në burg, ndërsa aksioni i fundit kishte si objektiv transferimin e tij dhe tetë personave të tjerë në burgun La Laguna të Talca-s, një institucion i projektuar për të izoluar drejtuesit dhe figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Kili.
Kush është Viktor Gjini?
Sipas hetuesve, Gjini ka hyrë në Kili duke përdorur pasaportë holandeze dhe është vendosur në një hotel në zonën Las Condes, prej nga ku ka menaxhuar takime për të organizuar dërgimin e rreth 200 kilogramëve kokainë drejt vendeve europiane.
Prokuroria e ka përshkruar atë si një individ “me përgatitje të lartë”, që zotëron katër gjuhë dhe ka njohuri të përpikta për çështjet e eksporteve, portet dhe rrugët detare.
“Po flasim për një person me përgatitje dhe aftësi të larta. Nuk është një trafikant i zakonshëm, i nivelit të ulët. Përkundrazi, ai flet katër gjuhë, njeh produktet kryesore që eksporton vendi ynë, njeh rrugët dhe emrat e anijeve. Dhe gjëja e parë që thotë është: ‘dua të shkoj në Valparaíso për të parë si funksionon porti”, tha prokurori Carlos Ribas nga ekipi SAC-ECOH i Valparaísos.
Qëllimi i tij ishte të krijonte një korridor të ri të trafikut nga Kili drejt Europës, duke përdorur kontejnerë detarë. Krejt operacioni u ndoq nga një agjent i fshehtë i Marinës dhe nën monitorimin e Karabinierëve.

