Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka dhënë sot një deklaratë pas mbledhjes së Qeverisë në lidhje me plazhet publike me pagesë.
Ai njoftoi se disa plazhe publike tani janë tarifuar deri në 1000 lekë të reja. Kjo situatë, sipas ministrit, ndodhi për shkak të kostove më të larta të mirëmbajtjes për plazhet në Ksamil dhe në disa zona të tjera të jugut.
“Numri i vizitorëve në vendin tonë ka arritur në nivele rekord që nuk i kemi parë më parë. Kemi një zhvillim të rëndësishëm këtë vit në menaxhimin e stacioneve të plazheve, me qëllim që të kemi një rregullator në treg për çmimet dhe tarifat.”
“Po ashtu, kemi shtuar një tipologji të re të plazheve publike, të menaxhuara nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore. Përveç plazhit të virgjër, disa bashki kanë ofruar të gjitha shërbimet, përfshirë çadrat, shezlongët dhe dushet, duke vendosur tarifa prej 700 lekësh ose 1000 lekësh, në varësi të plazhit.”
“Kur shkojmë në jug, drejt Ksamilit, kuptohet që kostot e mirëmbajtjes janë më të larta. Këto përfshijnë edhe shpenzimet për mbajtjen e rërës dhe ruajtjen e plazheve nga erozioni dhe ndikimi i detit gjatë dimrit. Pavarësisht këtyre kostove, kërkesa për këto plazhe është gjithashtu më e lartë. Disa tarifa janë pak më të larta. Tipologjitë e plazheve kanë ndihmuar që plazhet private të ruajnë tavanet e çmimeve për shkak të konkurrencës nga plazhet publike,” tha Gonxhja, në mes të komenteve të tij.

