“Milionat për Shkodrën”, Tedi Kopliku: Qyteti ka nevojë për transparencë, jo për propagandë politike

Publikuar me datë:

Pas njoftimit të Kryetarit të Bashkisë për miratimin e miliona eurove investime për Shkodrën, ka reaguar Tedi Kopliku, i cili e cilëson lajmin pozitiv për qytetin, por kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën se si do të menaxhohen fondet publike.

Në reagimin e tij, Kopliku kritikon personalizimin e institucioneve dhe vonesat shumëvjeçare të investimeve në Shkodër, duke theksuar se zhvillimi i qytetit nuk duhet të varet nga marrëdhëniet politike, por nga nevojat reale të qytetarëve.

Reagimi i plotë

Lajmi i Kryetarit të Bashkisë se sot miratohen miliona euro për Shkodrën është një lajm i mirë për qytetin. Ai ka të drejtën e tij ta lajmërojë i pari dhe ta kapitalizojë politikisht, duke luajtur rolin e Ardit Gjebresë kur sheh zarfin para se të hapet, për të parë sesa “publiku” ka fituar. Kur Shkodra është mirë, të gjithë jemi mirë.

Ajo që ne duhet të kërkojmë (si qytetarë europianë që pretendojmë se jemi apo duam të bëhemi) është llogari dhe transparencë për çdo investim dhe sjellje politike.

Marrëdhënia mes politikanit dhe qytetarit duhet të jetë institucionale dhe zhvillimi i një vendi nuk duhet të varet nga marrëdhëniet personale të asnjë Kryetari Bashkie me Kryeministrin e radhës, por vetëm nga nevojat e vendit dhe kërkesa e llogarisë ndaj atyre që drejtojnë e përfaqësojnë.

Krenaria e Kryetarit të Bashkisë duhet të jetë më modeste, sepse milionat e eurove janë penguar arbitrarisht për një dekadë në Shkodër, e kjo kohë nuk fitohet më. Ky persekutim politik i qytetit ka shkaktuar largimin e mijëra të rinjve dhe do të duhen vite për ta shëruar si plagë. Ndoshta as dekadat nuk do mjaftojnë për ta zhbërë plotësisht.

Nga ana tjetër, të gjitha këto projekte nuk duhet të kenë fatin e projekteve të tjera 3D, që mbetën 3D thuajse në përfundim të mandatit të z. Beci. Këto fonde dhe projekte nuk duhet të kenë fatin e punimeve jo cilësore dhe jo transparente të atyre që kanë shkelur çdo afat gjatë këtyre tre viteve.

Duhet të dalim si shoqëri nga personalizimi i institucioneve dhe të mbështesim politikanë e politika që e bëjnë përfaqësuesin vetëm mbajtës premtimesh dhe dhënës llogarie. Të vlerësojmë politikanë që ndërtojnë sisteme ku vetë ata bëhen të panevojshëm që qytetari të marrë atë që i takon.

Feudalizmi politik duhet të përbuzet nga një shoqëri që pretendon të jetë e zhvilluar dhe që Mesjetën ia ka lënë historisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related