Miliona euro cash në fuçi 50 litroshe, bisedat e SKY ECC zbulojnë detaje nga rrjeti i trafikut të kokainës

Publikuar me datë:

Komunikimet e siguruara nga platforma e koduar SKY ECC kanë zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si anëtarët e një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës menaxhonin dhe fshihnin fitimet e tyre marramendëse.

Sipas burimeve pranë SPAK, në bisedat e zhvilluara në gusht të vitit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, i njohur edhe me nofkën “Salvadore”, flitet për shuma milionëshe parash të siguruara nga aktiviteti kriminal. Në një prej komunikimeve, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash.

Vetëm pak ditë më vonë, Shpëtim Aliu i komunikon vëllait se pritej të siguroheshin edhe 20 milionë euro të tjera, ndërsa diskuton me të edhe mënyrat për fshehjen e shumave të mëdha të parave.

Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra.

Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Zbulimet janë pjesë e hetimit të gjerë që çoi në goditjen e grupit kriminal nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për gjurmimin e pasurive dhe identifikimin e investimeve të dyshuara të kryera me para që dyshohet se burojnë nga trafiku i drogës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related