Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, qytete të tjera të vendit dhe në diasporë, duke theksuar se çdo projekt zhvillimi duhet të respektojë mjedisin, pronën private dhe të drejtat e komuniteteve lokale.
Në deklaratën e saj, Konferenca Ipeshkvnore vlerëson se projektet që prekin zona natyrore të mbrojtura apo territore ku ka çështje të pronësisë kërkojnë transparencë, konsultim dhe përfshirje të banorëve. Duke cituar Papa Françeskun në enciklikën “Laudato si’”, ipeshkvijtë theksojnë se proceset politike duhet t’i nënshtrohen dialogut dhe debatit të hapur, ndërsa paralajmërojnë për rreziqet që sjell mungesa e transparencës në vendimmarrje.
Konferenca vëren gjithashtu se protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah një pakënaqësi më të gjerë ndaj sistemit politik aktual, veçanërisht mes të rinjve dhe familjeve që kanë marrë pjesë në to. Sipas saj, zëri i qytetarëve nuk mund të injorohet dhe duhet të dëgjohet me kujdes nga politika, qeveria dhe opozita.
“Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet”, thuhet në deklaratë, ku nënvizohet se i takon institucioneve demokratike të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe respektimit të rregullave të demokracisë evropiane.
Në përfundim, Konferenca Ipeshkvnore u bën thirrje përfaqësuesve politikë të zgjedhin rrugën e dialogut, të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve dhe veçanërisht zërin e të rinjve, duke kërkuar zgjidhje që frenojnë humbjen e shpresës dhe fenomenin e shpopullimit të vendit.


