Kellici në PE: “The Albanian Files” dëshmi e falsifikimeve, pastrimit të parave dhe krimit”

Publikuar me datë:

Belind Këlliçi ka ngritur një shqetësim në Parlamentin Europian lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se këto janë një reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në Komitetin e përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Këlliçi bëri me dije se që prej 38 ditësh, qytetarë shqiptarë po protestojnë në sheshet e kryeqytetit, një ngjarje që ai e quajti “Revolucioni i Flamingove”.

“Për herë të parë, që prej rrëzimit të diktaturës, sheshi shqiptar nuk i përket më asnjë partie politike, por çdo qytetari që kërkon ndryshim”, theksoi Këlliçi para eurodeputetëve.

“Kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani, apo nga çdo ‘armik i jashtëm’. Është një reagim demokratik dhe paqësor ndaj korrupsionit të qeverisë”, shprehu deputeti demokrat.

Këlliçi po ashtu foli për publikimin e librit “The Albanian Files”, të cilin e paraqiti si dëshmi të modelit të qeverisjes së Edi Ramës.

Ai akuzoi qeverinë se po përdorte ligje speciale, ndryshime territoriale dhe vendime administrative për të favorizuar projekte të caktuara.

Fjala e plote;

Të nderuar Eurodeputetë,
Të nderuar anëtarë të këtij Komiteti,

Pas takimit tonë të fundit në Tiranë, shumë ngjarje të rëndësishme kanë ndodhur që kërkojnë vëmendje në këtë komitet të përbashkët të stabilizim-asocimit.

Para se të kaloj në rendin e ditës, është e nevojshme të flas për diçka që e tejkalon atë: sheshin.

Që prej një muaji, 38 ditë, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë dalin çdo ditë në rrugët e Tiranës në atë që tashmë quhet “Revolucioni i Flamingove”. Unë ju them sot, pa asnjë ekzagjerim: kjo është ngjarja më e bukur dhe më e fuqishme në historinë postkomuniste të vendit tim.

Për herë të parë, që prej rrëzimit të diktaturës, sheshi shqiptar i përket çdo qytetari që kërkon ndryshim, jo më asnjë partie politike. Çdo kauzë që opozita ka ngritur me vite, nga shteti i kapur, manipulimi zgjedhor, kriminalizimi i ekonomisë, shëndetësia, arsimi, varfëria, shpopullimi, dhe deri te ndalimi i zërit qytetar, sot janë çështje të sheshit, të shqiptarëve të ndershëm, të rinisë që ka filluar të ngrejë shpresën për vetveten dhe vendin. Kur një popull përqafohet nga e njëjta e vërtetë, asnjë propagandë qeveritare nuk mund ta zëvendësojë atë të vërtetë.

Dijeni se kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani apo nga ndonjë “armik i jashtëm” siç përpiqet ta paraqesë qeveria shqiptare. Kjo protestë është një reagim demokratik dhe paqësor që kthehet te vlerat themelore perëndimore, energjia qytetare që Bashkimi Europian duhet ta mbrojë me vendosmëri. Kur qeveria në Tiranë përpiqet të kriminalizojë protestën, është detyra jonë si përfaqësues të mos heshtim.

Le të përmendim një zhvillim të rëndësishëm, librin “The Albanian Files”, një dëshmi e qartë e modelit të qeverisjes së Edi Ramës; përmes ligjeve speciale, tjetërsimit të tokave publike, falsifikimit të regjistrave kadastrale, vendimeve të manipuluara gjyqësore, pastrimit të parave dhe kriminalizimit të ekonomisë, duke i shitur këto si “model zhvillimi”.

Libri dokumenton 523 projekte arkitekturore të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri, hartuar nga arkitektë ndërkombëtarë të përzgjedhur personalisht nga kryeministri, siç pohojnë ata vetë. Në çdo projekt shfaqet emri i Edi Ramës.

Ai paraqitet si promotori, ndërmjetësi dhe garantuesi politik i tyre. Kjo është e verifikuar gjithashtu nga përgjimet Sky, EncroChat, të cilat janë sjellë në Shqipëri nga partnerët europianë. Në këto përgjime, grupet kriminale diskutojnë për takimet me Kryeministrin dhe dakordësimet për lejet e ndërtimit, duke pritur emrin e arkitektit të huaj që do të caktojë ai. Këto janë pjesë të dosjeve hetimore të SPAK, të cilat janë bërë publike nga institucionet, mes të cilave “shkëlqen” dosja Aruba.

Edi Rama ka vënë në dispozicion pronën publike, ka ndryshuar planet territoriale, ka miratuar leje ndërtimi dhe, kur ka qenë e nevojshme, ka ndryshuar ligjet përkatëse.

Libri dokumenton projekte në zona që ishin të mbrojtura me ligj në momentin e projektimit të tyre. Për shumë prej tyre, projekti ka nisur 2–3 vite përpara se mazhoranca socialiste të ndryshonte ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Pra, nuk ishin investitorët që iu përshtatën ligjit; ligji iu përshtat investitorëve.

Projektet e dokumentuara shtrihen në disa nga pasuritë më të çmuara dhe të lakmuara të Shqipërisë: bregdetin e Jugut, Lagunën e Nartës, Karavastasë, Ranën e Hedhun, Talen dhe zona të tjera me rëndësi të jashtëzakonshme mjedisore dhe ekonomike, ku vlera e tokës është më e lartë.

Do doja të përshëndes Parlamentin Europian për shqetësimet që ka trajtuar lidhur me çështjet e ngritura nga Partia Demokratike, përfshirë ligjet klienteliste si ligji për investimet strategjike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për portet, për Portin e Durrësit, për Teatrin Kombëtar, për Duranën, për Korporatën e Investimeve Shqiptare dhe akte të tjera të ngjashme, të miratuara me forcën e kartonave nga mazhoranca socialiste.

Sot, ne nuk jemi vetëm. Nga protesta e qytetarëve në shesh, kanë dalë të njëjtat kërkesa: ato fillojnë me dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe të gjithë qeverisë. Kërkohet vendosja e një qeverie kujdestare me mandat të qartë për të përgatitur vendin për zgjedhje të lira dhe të barabarta, si dhe shfuqizimi i ligjeve për investimet strategjike, ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, paketa e maleve dhe ndryshimet ligjore që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Partia Demokratike ka propozuar këto ndryshime në Kuvend, por ato janë refuzuar nga mazhoranca socialiste që ka forcën dhe arrogancën e kartonave.

Ju bëj thirrje: Së pari, insistoni që çdo hap drejt anëtarësimit të lidhet ngushtë me zbatimin e plotë dhe jo selektiv të ligjeve dhe standardeve europiane.

Së dyti, dëgjoni zërin e qytetarëve në sheshe. Ata nuk kërkojnë përjashtimin e Shqipërisë nga Europa; përkundrazi, ata janë forca më europiane që ka sot vendi ynë, sepse kërkojnë një Shqipëri që ndërtohet mbi vlerat europiane dhe jo mbi çmimin që paguan klienti më i pasur.

Së treti, Partia Demokratike në Shqipëri mbetet plotësisht e përkushtuar për një rrugë europiane. Përkushtimi ynë është për një integrim të vërtetë, të bazuar në punë të mira për vendin dhe vlerat që na bashkojnë, pra atë që ju e quani Procesi i Bazuar në Merita.

Shqipëria po ju shikon, dhe Europa e vërtetë sot ndodhet në sheshet e Tiranës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related