Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha sot për mediat para Parlamentit se procesi i integrimit të Shqipërisë është bllokuar prej pesë muajsh dhe vonuar për shkak të disa ngjarjeve në vend, si rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku por edhe ligjeve që ka kaluar qeveria në Kuvend si prokurimet publike, portet apo investimet strategjike, që janë jashtë standardeve të BE-së dhe me shkelje.
Duke shpjeguar kriteret ajo përmendi edhe propozimin e kancelarit gjerman Merz për integrim gradual, por ky duhet të kalonte patjetër nëpërmjet gjithpërfshirjes dhe vullnetit politik që të shprehej me akte nga mazhoranca dhe jo me fjalë.
“Një axhendë intensive që është kërkuar në tre vende të rajonit, Shqipëria ishte një ndër to, mali i Zi gjithashtu është përpara në këtë proces si dhe Moldavia. Atje u diskutua gjatë për procesin dhe momentin ku ndodhet Shqipëria, si dhe vonesat e pesë muajve të fundit, por edhe për faktin se ky proces kërkon edhe vullnet politik dhe ky vullnet politik është mjaft i rëndësishëm.
Ky nuk e lidh vetëm me temën e zv/kryeministres që ka qenë një nga arsyet se pse ka pasur 5 muaj bllokim por e lidh edhe për ligje e punë të tjera, që diskutohen çdo ditë. Diskutohet përsa i përket ligjit të prokurimeve publike, ligjit të investimeve strategjike, të porteve, dy ditë më parë në Bundestag është shtuar edhe një pyetje përsa i përket situatës në Nartë. Pra tema të cilat i përkasin procesit të integrimit dhe e bëjnë jo vetëm teknik por e bëjnë të rëndësishëm edhe për t’u shoqëruar me vullnet politik”, tha Tabaku.
Deputetja shpjegoi edhe diskutimet që u bënë në Bundestag të Gjermanisë ku ishte prezentë dhe tha se Shqipëria duhet të ecë para si Mali i Zi, sepse në të kundërtën kjo vonesë integrimi do vazhdonte.
“Diskutimet kryesore u fokusuan në dy elementë, elementi i parë është që ky proces kërkon gjithpërfshirje dhe në radhë të parë e kërkon gjithpërfshirjen këtu në parlament. Kërkon zbatimin e vendimeve të Gjykatë Kushtetuese, kërkon ligje që janë të nevojshme që të diskutohen jo vetëm në proces të mbyllura siç ka ndodhur sot me mungesë transparence dhe se dyti ky proces bëhet i rëndësishëm nga vullneti politik. Propozimi që kancelari Merz ka bërë nisur nga propozimi i ish-kancelares Merkel dhjetë vite më parë në procesin e Berlinit, është vazhdimësia e ideve që ato kanë për integrimin gradual. Integrim gradual që do të thotë jo vetëm një hedhje në këtë proces por edhe kalimi hap pas hapi fazë pas faze, shkallë pas shkalle sepse po të shikohet me të vërtetë megjithëse mundësia është atje, vendet e Ballkanit perëndimor nuk e kanë parë këtë mundësi”, shpjegoi ligjvënësja.
Kurse për kriterin e tretë ajo tha se bëhet fjalë për procesin e meritës, pasi asnjë vend nuk anëtarësohet në BE pa e arritur këtë kusht, ndër më të rëndësishmit.
“Dhe elementi i tretë i rëndësishëm është procesi i meritës, ky është një proces merite, nuk ka asnjë diskutim. Kush realizon reformat ecën përpara si në rastin e malit të Zi, kush nuk i realizon ato si në rastin e Shqipërisë mbetet në diskutime të gjata pesëmujore. Kështuqë edhe në emër të PD-së vullneti i shprehur për ta mbështetur këtë proces kalon përtej fjalëve por kalon me akte që duhet të vijnë përditë nga qeveria”, përfundoi Tabaku.

