Këshilltari bashkiak i Shkodrës, Imeld Sokoli, ka reaguar ashpër lidhur me projektin e segmentit rrugor Milot–Balldren, duke e cilësuar atë një nga skandalet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Sokoli shprehet se segmenti 17 kilometra i gjatë pritet të kushtojë rreth 364 milionë euro, ose afro 21.5 milionë euro për kilometër, një kosto që sipas tij është dukshëm më e lartë se ajo e projekteve të ngjashme në disa vende europiane.
Ai thekson se, bazuar në krahasimet që publikon, ndërtimi i këtij aksi rezulton gati dy herë më i kushtueshëm se në Austri dhe afro katër herë më i shtrenjtë se në Danimarkë.
Sokoli ndalet edhe te tarifa e parashikuar e qarkullimit, duke argumentuar se përdoruesit e rrugës do të përballen me pagesa shtesë për çdo kalim. Sipas tij, bashkë me tarifat e akseve të tjera me pagesë, kostoja për qytetarët mund të arrijë deri në 1 mijë lekë për një udhëtim vajtje-ardhje.
Në fund të reagimit, këshilltari bashkiak ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e fondeve publike dhe kritikon ashpër qeverinë për mënyrën se si po realizohen projektet infrastrukturore në vend.
“Jam i habitur si ka mundësi që një banor me logjikë të shëndoshë e voton një qeverisje të tillë që prodhon këtë hajni”, shkruan Sokoli në reagimin e tij.


