Gjatë ditës së sotme, faqja zyrtare e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është goditur nga një sulm kibernetik.
Pasi faqja u komprometua, përmbajtja origjinale u zëvendësua me një artikull që nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e institucionit.
Materiali i postuar në faqen e prekur pretendon se dy turistë turq janë viktima të fyerjeve, denigrimit dhe dhunës nga një pronar hoteli në Ksamil, gjatë qëndrimit të tyre.
Derimë tani, këto pretendime nuk janë verifikuar dhe mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një çështje reale të raportuar nga turistët apo për një informacion të publikuar nga vetë autorët e sulmit kibernetik.
Nuk ka ende informacion se kush qëndron pas këtij sulmi informatik. Përmbajtja e faqes është prekur, ndërkohë që autoritetet priten të ndërhyjnë për të rikthyer kontrollin dhe për të zbardhur situatën.
Rasti hedh dritë mbi shqetësimet për sigurinë e platformave digjitale të institucioneve shtetërore dhe nevojën për masa mbrojtëse kundër sulmeve të tilla kibernetike.

