Edicioni i dytë i festivalit teatror “Gjegju Fest” ka hapur siparin në Shkodër, ku në Teatrin “Migjeni” u vu në skenë produksioni “Kur gënjeshtra vishet si e vërtetë” nën regjinë e Astrit Fanit.
Vepra trajton një nga çështjet më të diskutuara të kohëve të sotme: dezinformimin dhe sfidën për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, sidomos në epokën kur rrjetet sociale e shpërndajnë informacionin me ritme të vrullshme.
Regjisori Astrit Fani ndalet tek rëndësia e mesazhit të shfaqjes, duke nënvizuar domosdoshmërinë e mendimit kritik dhe të ndërgjegjësimit përballë informacionit të rremë.
Për aktorët e rinj pjesëmarrës, kjo shfaqje sjell në fokus një realitet që e prekin çdo ditë, duke i nxitur të reflektojnë për pasojat që mund të sjellin gënjeshtrat në jetën e tyre të përditshme.
“Gjegju Fest” do të vazhdojë të sjellë netë të tjera me shfaqje të ndryshme teatrore në Shkodër, duke i shtuar vlerë kalendarit të aktiviteteve kulturore të qytetit.

