Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar një ndryshim në rregulloren e kampionatit, i cili do të zbatohet duke nisur nga sezoni 2026–2027 i Abissnet Superiore. Qëllimi i këtij vendimi është rritja e aktivizimit të futbollistëve të rinj shqiptarë.
Sipas rregullit të ri, çdo ekip do të jetë i detyruar ta nisë ndeshjen me të paktën një futbollist shqiptar të lindur në vitin 2007 ose më pas. Ky lojtar duhet të qëndrojë në fushë gjatë gjithë pjesës së parë, për të paktën 45 minuta.
Nëse ai zëvendësohet para pushimit, trajneri duhet të fusë menjëherë një tjetër futbollist që plotëson të njëjtin kriter. Në të kundërt, skuadra do të luajë me një lojtar më pak deri në momentin që detyrimi të përmbushet.
Për Vllazninë, ky ndryshim prek drejtpërdrejt përbërjen e ekipit. Aktualisht, Simon dhe Sokol Uldedaj janë të vetmit futbollistë me kontratë profesioniste që i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga rregullorja, ndërsa Ara, Tafili dhe Kubazi janë jashtë kufirit të moshës së parashikuar.
Rregullorja e re pritet t’i shtyjë klubet të investojnë edhe më shumë te talentet e akademive dhe t’u japin hapësirë lojtarëve të rinj në elitën e futbollit shqiptar.

