Fiket plotësisht zjarri në Shëngjin, nis hetimi për shkaqet

Publikuar me datë:

Është fikur plotësisht vatra e zjarrit që ra mesditën e së premtes në kurorën me pisha të Malit të Shëngjinit, në zonën e Ranës së Hedhun.

Pas orësh të tëra ndërhyrjeje, forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencave civile arritën rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm izolimin dhe më pas shuarjen totale të flakëve. Në terren u angazhuan edhe efektivë me çanta shpine, të cilët punuan për të neutralizuar vatrat e vogla dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.

Në operacion morën pjesë forca zjarrfikëse nga Kamza, Mirdita, Vau i Dejës, Kurbini dhe Lezha, të cilat ndërhynë me mjete dhe personel për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara, apartamenteve, bizneseve dhe resorteve turistike në zonë.

Falë ndërhyrjes është shmangur përhapja e zjarrit në zonat e banuara, duke parandaluar dëme më të mëdha materiale dhe rrezik për banorët dhe turistët.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet mbi shkaqet e rënies së zjarrit, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo me shkaqe të tjera aksidentale.

Paralelisht, autoritetet po vijojnë punën për të përcaktuar sipërfaqen e djegur me pisha dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara në zonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related