Nga takimet e fshehta te shantazhi emocional e deri te dëbimi nga shtëpia: influencerja gjermane Zana tregon historinë e saj të një “dashurie të ndaluar” dhe si u përjashtua nga familja.
Nga Selina Keller, 20Minuten
“Jam shqiptare dhe kam zgjedhur një jo-shqiptar – dhe duhet të jetoj me pasojën që u përjashtova nga familja”. Me këto fjalë, influencerja gjermane Zana po arrin aktualisht qindra mijëra njerëz në TikTok. Në disa video ajo tregon për “dashurinë e ndaluar” dhe për faktin se marrëdhënia e saj u bë temë tabu brenda familjes.
Kanë jetuar prej vitesh në fshehtësi
Zana dhe i dashuri i saj, kombësinë e të cilit nuk e zbulon, janë njohur që në kohën e shkollës. “Ishim të rinj, pa prapamendime dhe pa e ditur çfarë na priste”. Që herët, të dy e kishin kuptuar se dashuria e tyre për disa njerëz përbënte problem.
Nga frika e përjashtimit, nga respekti për familjet e tyre dhe për të mos lënduar askënd, ata e mbajtën lidhjen të fshehtë për vite me radhë. Takimet bëheshin fshehurazi, daljet zhvilloheshin në makinë – të shoqëruara nga frika e vazhdueshme se mund të zbuloheshin. “Një moment i vetëm mund ta shembte gjithçka”, tregon influencerja.
“Nga një ditë në tjetrën nuk kisha më shtëpi”
“Ishim dy të rinj që donim të ishim bashkë, por nuk na lejohej. Paranoja ishte shoqëruesja jonë e përditshme”. Megjithatë, në një moment ata u zbuluan. Familja e saj nuk e pranoi lidhjen me një burrë me prejardhje tjetër. Zana flet për shantazh emocional, dhunë dhe kërcënime. Ajo thotë se ka vuajtur nga sulme paniku dhe një krizë nervore. “Nga një ditë në tjetrën nuk kisha më shtëpi – as shtrat, as siguri”.
Për dy muaj ajo kishte fjetur në dysheme në një banesë të përkohshme. “Financiarisht dhe emocionalisht ndihesha e shkatërruar”. Në një moment e kuptoi se asgjë nuk e mbante më në Gjermani. Ajo vendosi të nisë një fillim të ri dhe u shpërngul në Qipro.
E përjashtuar nga familja për shkak të prejardhjes tjetër – jo rast i rrallë
“Nuk mund të jetoja më me atë vendim, ndaj zgjodha dashurinë.” Shpesh e pyesin nëse pendohet për zgjedhjen e saj. Përgjigjja e saj është: Jo. Siç duket, historia e Zanës nuk është e rrallë. Në TikTok videot e saj arritën qindra mijëra njerëz dhe shumë prej tyre ndanë përvoja të ngjashme në komente.
Një përdoruese shkroi: “Edhe unë e lashë familjen për dashurinë – si kurde. Fëmijëve të mi nuk do t’u shkaktoja kurrë një dhimbje të tillë. Kurrë nuk do t’i vendosja përballë një zgjedhjeje të tillë”. Edhe një shqiptare tregoi historinë e saj: “Jam e martuar me një italian, kemi tre fëmijë dhe tashmë jemi bërë edhe gjyshër. Megjithatë, për 20 vjet nuk kam pasur kontakt me familjen time”.
Një serbe komentoi: “M’u desh të ndahesha emocionalisht dhe fizikisht nga familja ime që të mund të jetoja vërtet”. Të tjerë tregojnë përfundime më pajtuese. “Kam përjetuar pikërisht të njëjtën gjë, por pas pesë vitesh lidhjeje prindërit e mi më në fund e pranuan”, shkruan një përdoruese tjetër.
Marrëdhëniet ndërkulturore në Europë po shtohen
Ky model shoqëror ka një emër: endogamia – preferenca për lidhje brenda të njëjtit grup etnik, fetar ose kulturor. Sidomos në familjet me mendësi kolektiviste, zgjedhja e partnerit shpesh nuk konsiderohet një vendim thjesht personal, por çështje e gjithë familjes.
Megjithatë, studimet tregojnë se marrëdhëniet ndërkulturore dhe të ashtuquajturat “mixed couples” po bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe më të zakonshme në Europë. Një studim i Universitetit të Cambridge-it nga viti 2024 tregon se numri i marrëdhënieve ndërkulturore është rritur gjatë dekadave të fundit. Në të njëjtën kohë, studimi thekson se kundërshtimi familjar vazhdon të jetë një nga sfidat më të zakonshme për këto marrëdhënie.

