Fabrizio Corona është sulmuar dhe grabitur pasditen e djeshme pranë banesës së tij, në zonën Dateo të Milanos.
Ka qenë vetë ish-mbreti i paparacëve ai që ka njoftuar autoritetet, duke telefonuar numrin e emergjencës 112. Për ngjarjen po hetojnë efektivët e Karabinierëve të Kompanisë Monforte.
Sipas të dhënave paraprake, Corona është afruar nga një grup personash, të cilët e kanë kërcënuar me një send të mprehtë dhe më pas e kanë sulmuar. Autorët i kanë marrë dy vathë dhe dy varëse.
Ai ka pësuar disa gërvishtje, por nuk ka pasur nevojë për transportim në spital.
Avokati i tij, Ivano Chiesa, ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve ANSA se Corona do të depozitojë sot denoncimin zyrtar.
Ndërkohë, hetuesit po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

