Gjatë një deklarate nga Shkodra, Avokati i Popullit, Endri Shabani, u ndal te situata në Rrjoll, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes publike javët e fundit.
Sipas tij, çështja përfshin tre aspekte kryesore: pretendimet për pronësinë e tokës, projektin zhvillimor që po zbatohet në zonë dhe veprimet e kompanisë private të sigurisë.
Shabani bëri me dije se, pavarësisht debatit të gjerë publik, institucioni që ai drejton nuk ka marrë deri tani asnjë ankesë zyrtare nga banorët e Rrjollit.
“Bëhet fjalë për një situatë me disa problematika, por deri më tani nuk kemi pasur ankesa nga banorët”, u shpreh ai.
Kreu i Avokatit të Popullit theksoi se institucioni është i gatshëm të ndjekë rastin dhe të ndërhyjë nëse paraqiten ankesa konkrete ose nëse konstatohen shkelje të të drejtave të qytetarëve.

