Fenomeni klimatik El Niño po merr përmasa të jashtëzakonshme dhe pritet të intensifikohet më tej gjatë muajve në vijim, duke rritur rrezikun për fenomene ekstreme të motit në pjesë të ndryshme të botës.
Paralajmërimi vjen nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), e cila bën me dije se El Niño është tashmë i konsoliduar në Paqësorin tropikal dhe pritet të arrijë intensitet shumë të lartë, me kulmin drejt fundit të vitit.
Sipas parashikimeve të WMO-së, ekziston një probabilitet prej gati 100% që fenomeni të vazhdojë të paktën deri në shkurt 2027. Temperaturat e sipërfaqes së oqeanit në zonën e Paqësorit tropikal janë jashtëzakonisht të larta dhe po vijojnë të rriten.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka dhënë një paralajmërim të fortë për situatën.
“El Niño po merr përmasa gjigante para syve tanë. Shkenca nuk lë vend për dyshime: planeti ndodhet në ujëra të paeksploruara dhe ato ujëra po ngrohen”, është shprehur Guterres.
Ai shtoi se temperaturat po vijojnë të rriten dhe se bota ndodhet tashmë në “zonën e rrezikut” të kushteve ekstreme të motit.
Një El Niño shumë i fortë mund të ndryshojë ndjeshëm modelet e temperaturave dhe reshjeve në mbarë botën, duke rritur rrezikun për përmbytje, thatësira dhe valë ekstreme të të nxehtit.
WMO thekson se ndikimi nuk do të jetë i njëjtë në çdo rajon dhe se pasojat varen nga vendndodhja dhe stina. Megjithatë, intensifikimi i fenomenit pritet të ndikojë në kushtet klimatike edhe gjatë vitit 2027.

