SHKODËR – Dy mjekë neurologë të Spitalit Rajonal të Shkodrës po hetohen në gjendje të lirë, lidhur me trajtimin mjekësor të një 40-vjeçari, i cili pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u transportua drejt Tiranës, ku më pas ndërroi jetë.
Sipas Policisë së Shtetit, në kuadër të procedimit penal janë referuar për ndjekje penale mjekët G. N., 53 vjeç, dhe Dh. U., 68 vjeçe.
Dyshimet e ngritura nga autoritetet lidhen me mënyrën e trajtimit të pacientit F. K., 40 vjeç. Për këtë rast po hetohet nëse gjatë ofrimit të shërbimit shëndetësor ka pasur neglizhencë apo mangësi që mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij.
Në vijim të situatës shëndetësore, 40-vjeçari u dërgua për trajtim të specializuar në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku edhe humbi jetën.
Për dy mjekët janë referuar veprat penale “Mjekimi i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit, shkaqet e vdekjes dhe nëse ekziston përgjegjësi penale.
Dy mjekët do të konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.

