Drejtuesi politik i PS për qarkun Shkodër Enea Karakaçi, njëkohësh Ministër i Infrastrukturës ka zhvilluar një mbledhje me drejtorët e dorëhequr dhe ata që do të dorëhiqen të hënen dhe në vazhdim.
Karakaçi i ka kërkuar drejtorëve rajonal të PS Shkodër që ta japin dorëheqjen për ata që nuk e kanë dhënë ende.
Në fjalën e tij drejtuesi politik ka qenë i qartë duke thënë se jo të gjithë do të largohen, përveç atyre që kanë shumë vite si drejtorë rajonal sepse u kanë humbur energjitë.
Karakaçi ka sjellë shembullin personal kur ka qenë drejtor teksa ka dhënë asokohe tri herë dorëheqjen dhe u tha drejtorëve të Shkodrës që ta marrin si presion pozitiv dhe jo negativ.
Po ashtu i ka kërkuar më shumë angazhim ndaj qyteatërve por edhe të jenë më shumë aktiv ndaj partisë dhe të shpërndajnë më shumë postimet e kryeministrit Rama në rrjetet sociale pasi sipas Karakaçit nuk ështl një situatë e zakonshme momenti që Shqipëria po kalon.
Ja pjesët kryesore të fjalimit të Karakaçit në mbledhjen me drejtorët e PS:
“Dorëheqjen duhet që ta jepni sipas udhëzimit të gjithë por do të vazhdoni punën. Do të shihet rast pas rasti për secilin. Unë që shihni këtu kur kam qenë drejtor e kam dhënë tri herë dorëheqjen.
Mos e merrni si presion negativ por si presion pozitiv. Pavarësisht dorëheqjeve do të vazhdoni punën njësoj. Dua që të jeni më të angazhuar në shërbimet ndaj qytetarëve.
Normalisht drejtorët që kanë disa vite mundet që edhe të largohen sepse ka prej atyre që ju kanë humbur energjitë dhe duhet që të jeni të përgatitur edhe për këtë.
Po ashtu kërkoj më shumë angazhim edhe për partinë dhe në rrjetet sociale.
Shoh që kur poston kryeministri nuk jeni aq aktiv, madje jeni apatik. Po të mos jetë kryeministri, ju e dini se nuk jeni asnjë drejtor pastaj. Jemi në një situatë jo të zakonshme dhe duhet ta kuptoni këtë gjë, ndaj duhet më shumë angazhim në rrjetet sociale dhe në punën tuaj.
Sa i përket drejtorëve të rinj, ata zëre se nuk e kanë dhënë dorëheqjen sepse është shumë shpejt dhe do të vijojnë punën.”

