Komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak i Divjakës, i cili është ngarkuar me hartimin e materialeve për reformën territoriale, përmbylli këtë mbrëmje dëgjesën e fundit publike në Njësinë Administrative Remas.
Takimi u çel nga këshilltari Said Ibrahimaj, i cili iu drejtua banorëve të zonës, duke i ftuar të ndajnë opinione, qëndrime dhe sugjerime në lidhje me procesin e reformës territoriale.
Më tej, kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, prezantoi për të pranishmit rezultatet e punës së komisionit si dhe shkaqet pse Bashkia Divjakë refuzon idenë e bashkimit me Bashkinë Lushnjë.
Gorrea theksoi se Divjaka zotëron burime ekonomike, shtrirje të gjerë gjeografike dhe popullsi të mjaftueshme për ta renditur bashkinë nga vendet 27 deri në 31 ndër 61 bashkitë gjithsej në vend. Gjatë dëgjesës publike, banorët e Remasit shprehën hapur mbështetjen e tyre për ruajtjen e Bashkisë Divjakë si njësi e pavarur.
Pas përmbylljes së këtij procesi, dokumentacioni i hartuar nga komisioni, së bashku me firmat e grumbulluara gjatë dëgjesave publike, do të dorëzohet në Kuvend ku do të shqyrtohet nga komisioni parlamentar. Në vijim, ky propozim do të paraqitet për votim në Kuvend.

