Bizneset e vogla në Shkodër po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë. Sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë për Shkodrën, rënia e konsumit dhe kostot e shtuara fiskale po ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre.
Kryetari i BSPSH-së për Shkodrën, Albert Tuka, thotë se fuqia blerëse e qytetarëve është dobësuar, ndërsa barra fiskale mbi bizneset është rritur. Sipas tij, kjo situatë po e bën më të vështirë mbijetesën e shumë bizneseve të vogla.
Edhe pse sezoni turistik sjell një gjallërim të përkohshëm të ekonomisë dhe hap vende pune, Tuka vlerëson se kjo nuk është e mjaftueshme për të kompensuar problemet e tregut të punës në qytet.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga sindikatat lidhet me nivelin e pensioneve, duke kërkuar rritjen e pensionit minimal për të përmirësuar të ardhurat e qytetarëve.
Të dhënat e referuara nga sindikatat tregojnë gjithashtu një tkurrje të numrit të bizneseve të vogla në Shkodër. Nga rreth 4,500 subjekte që operonin disa vite më parë, aktualisht numri i tyre është rreth 2,800.
Sipas sindikatave, këto shifra tregojnë vështirësitë me të cilat po përballet biznesi i vogël dhe nevojën për masa që të nxisin konsumin dhe aktivitetin ekonomik në qytet.

