Të huaj nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe vende të tjera europiane po udhëtojnë drejt Shqipërisë për trajtime dentare, të tërhequr veçanërisht nga çmimet dukshëm më të ulëta se në vendet e Europës Perëndimore. Në një artikull dedikuar Turizmit dentar në Shqipëri, media britanike BBC tregon historinë e 58-vjeçarit Anthony Hook, i cili është një ndër rastet e asaj që për median britanike po kthehet në një tendencë gjigande. Media Britanike, e cila në fokus të saj ka kryeqytetin, ku shkruan se ka 400 klinika dentare, shkruan se përgjatë viteve të fundit, numri i klinikave që ofrojnë trajtime për pacientë ndërkombëtarë, nga implantet dhe kurorat dentare, deri te ndërhyrjet komplekse, është rritur ndjeshëm. Sipas BBC, një ndër arsyet se përse Shqipëria po kthehet në një metropol të Turizmit Dentar lidhet me diferencën e çmimeve për shërbimet.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma të specializuara të turizmit dentar, në Shqipëri disa trajtime mund të kushtojnë 50 deri në 80 për qind më pak se në Britani, Itali apo Gjermani. Për shembull, një implant dentar kushton rreth 600 euro, të paktën 4 herë më pak sesa në klinikat private të Europës Perëndimore. Sipas BBC, çmimi nuk është i vetmi kriter që po sjell pacientët në Shqipëri.
Klinikat shqiptare kanë investuar në teknologji moderne, laboratorë dentarë dhe pajisje diagnostikuese, ndërsa një pjesë e dentistëve kanë formim ose eksperiencë në universitete dhe institucione europiane.
Për pacientët e huaj, faktori tjetër i rëndësishëm është edhe afërsia. Tirana mund të arrihet me fluturime direkte nga disa qytete europiane dhe trajtimet e planifikuara mund të kombinohen me disa ditë qëndrimi në Shqipëri.
Sipas vlerësimeve të industrisë, dhjetëra mijëra pacientë ndërkombëtarë trajtohen çdo vit në Shqipëri, ndërsa tregu është zgjeruar me ritme të shpejta gjatë viteve të fundit. Shqipëria po përpiqet kështu të pozicionohet përballë destinacioneve tashmë të njohura të turizmit dentar, si Turqia dhe Hungaria.
Dhe për shumë pacientë europianë, formula është e thjeshtë: një udhëtim i shkurtër drejt Tiranës, trajtim dentar me kosto më të ulët dhe, në shumë raste, disa ditë pushime në Shqipëri. BBC shkruan se Turizmi dentar, i cili ka marrë një hov të madh zhvillimi përgjatë viteve të fundit, po tregon se vendi ynë ka fituar një tjetër Emër në Hartën Europiane, atë të një destinacioni në rritje për Turizmin dentar.

