Megjithëse fluksi i lëvizjeve në zonën e Bahçallëkut është shtuar ndjeshëm gjatë sezonit turistik, punimet për ngritjen e këmbëve të urës së re po ecin përpara. Ky projekt i rëndësishëm infrastrukture ka për objektiv të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për sigurinë dhe përmirësimin e qarkullimit në një nga pikat më të rëndësishme strategjike të vendit.
Inxhinierët dhe punonjësit janë të angazhuar në terren në realizimin e fazave kryesore të ndërtimit, duke përfshirë krijimin e bazamenteve dhe strukturave mbajtëse të urës. Ndërhyrjet zhvillohen pa ndërprerje të qarkullimit të mjeteve, gjë që ka imponuar marrjen e masave të shtuara të sigurisë në territorin e kantierit.
Projekti për urën e re të Bahçallëkut vlerësohet si një ndër veprat më të rëndësishme për veriun e vendit. Megjithëse realizimi i punimeve në këtë periudhë kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim nga drejtuesit e automjeteve, përfundimi i projektit pritet të sjellë transformim të rrënjësishëm të këtij segmenti dhe të rrisë standartet e sigurisë rrugore.

