Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë, duke ngritur dyshime serioze mbi aktivitetin e grupeve kriminale ndërkombëtare dhe trafikun e drogës që, sipas tij, mund të ketë përfshirë edhe territorin shqiptar.
Në një qëndrim të tij publik, Hoxha ka deklaruar se dyshohet për një sasi prej rreth 15 ton kokainë, e cila sipas informacionit që ai citon, ka mbërritur në Shqipëri, por më pas është “zhdukur” pa arritur në destinacionin final të shpërndarjes. Sipas tij, ngarkesa nuk ka ndjekur rrugën e zakonshme të trafikimit drejt bazave të shpërndarjes, duke u devijuar në rrethana të paqarta.
Hoxha ka theksuar gjithashtu se në qarkullim ekziston një informacion shqetësues, sipas të cilit një kartel kriminal ka vendosur një pagesë prej rreth 30 mijë dollarësh për eliminimin e personave të përfshirë në marrjen ose zhdukjen e ngarkesës, çka sipas tij tregon nivelin e lartë të konfliktit brenda këtyre rrjeteve.
Sipas deklarimeve të tij, një pjesë e ngarkesës dyshohet se ka hyrë në një port dhe më pas është marrë nga persona të cilët ai i cilëson si “garantë”, por që nuk e kanë çuar drogën në destinacionin e planifikuar, duke shkaktuar kështu humbjen e saj dhe tensione brenda rrjeteve kriminale.

