Açka rikthen historinë e Princ Vidit përmes trilogjisë “1914”

Publikuar me datë:

Pas një pune që zgjati plot 15 vjet, autorja Flutura Açka ka sjellë para lexuesve trilogjinë historike “1914”, një cikël që ndriçon njërën prej episodeve më të trazuara në historinë e shtetit shqiptar: ardhjen, sundimin dhe largimin e Princ Vidit nga Shqipëria.

Kjo trilogji, e mbështetur tërësisht në burime historike, i qaset ngjarjeve të vitit 1914 përmes dëshmive të atyre që i përjetuan, duke u përpjekur të zbardhë shumë pikëpyetje rreth asaj periudhe. Për të ndërtuar veprën, Açka ka ndërmarrë hulumtime në arkivat e Holandës dhe Shqipërisë, duke konsultuar dokumente, fotografi dhe telegrame të kohës.

“Puci i Beqir Grebenesë më ka interesuar shumë, masakra e Hormovës, vrasja e kolonel Tomson, arrestimi i Esat Pashës, përplasja e parë me rebelët. Kanë qenë momente të errëta”, shprehet Açka.

Trilogjia ndalet veçanërisht te vrasja e kolonelit holandez Tomson, i cili gjatë shërbimit si ruajtës i paqes në Shqipëri u vra teksa mbronte Durrësin nga kryengritësit.

“Unë dyshoj që nuk është një vrasje aksidentale, sepse po t’ia lëmë vetëm rebelëve, nuk e dimë kush e ka shtënë plumbin. Unë them që është pjesë e një komploti më të madh politik, për shkak edhe të fërkimit të Fuqive të Mëdha. Dikush ishte i interesuar për të shembur mbretërimin e Princ Vidit”, thotë shkrimtarja.

Libri u prezantua për publikun në praninë e miqve, kolegëve dhe studiuesve, të cilët theksuan rëndësinë e kërkimit të autores për të zbuluar tensionet politike dhe ngjarjet që vunë në rrezik vetë shtetin shqiptar.

Ky cikël fillon me momentin e brishtë të formimit të shtetit shqiptar, duke ndjekur historitë e atyre që u përpoqën ta mbronin apo ta shfrytëzonin atë sipas interesave të tyre.

Zgjedhur me kujdes mes rrëfimit dhe dokumenteve historike, Flutura Açka ofron një tablo të plotë të Shqipërisë së vitit 1914, duke sjellë para lexuesve ngjarjet dhe figurat që shënuan atë periudhë të trazuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related