Një kriminel i përsëritur, i cili ishte rikthyer fshehurazi në Britani edhe pse ishte dëbuar dy herë më parë, është dënuar me burg pasi policia zbuloi një arsenal armësh dhe një sasi të madhe droge në një apartament në Nottingham, që përdorej si bazë e krimit të organizuar.
Shtetasi shqiptar Ervis Doksani, 41 vjeç, u kap duke ruajtur armë të shumta, mes tyre një revolver i fshehur në një dollap kuzhine, tre pushkë të mbështjella në një qilim pranë një dysheku — njëra prej tyre e mbushur — si edhe municione dhe mbi 10 kilogramë kanabis.
Babai i dy fëmijëve kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni dhe jetonte aty prej dy vitesh para se policia të ndërhynte.
Oficerët ndaluan fillimisht një automjet tip “Vauxhall Insignia” në parkingun e Tesco Extra në Bulwell, pak para orës 18:00 të 6 dhjetorit të vitit të kaluar, ku zbuluan një paketë vakum prej 1 kilogrami kanabis.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij në Vernon Road, Basford, policia gjeti edhe nëntë pako të tjera nga 1 kilogram kanabis, drogë të shpërndarë në ambient dhe një arsenal të rrezikshëm armësh.
Gjykatësi Mark Watson, gjatë dënimit me 7 vite e 10 muaj burg në Gjykatën e Nottingham Crown Court, e cilësoi Doksanin si një “kriminel karriere” të përfshirë thellë në krimin e organizuar.
“Ti nuk je një kriminel ordiner”, deklaroi gjykatësi.
Sipas tij, sasia e drogës dhe armëve tregonte lidhje të forta me rrjete kriminale të nivelit të lartë, duke e përshkruar Doksanin si “magazinierin” e organizatës kriminale, të besuar për ruajtjen e arsenalit dhe drogës kundrejt përfitimeve financiare.
“Ti nuk je i lejuar të qëndrosh këtu dhe nuk je i mirëpritur, sepse prania jote ka si qëllim fitimin e parave përmes aktivitetit kriminal”, shtoi gjykatësi.
Doksani pranoi akuzat për posedim droge me qëllim shpërndarjeje, posedim armësh të ndaluara dhe hyrje në Britani në kundërshtim me urdhrin e dëbimit.
Ai pretendoi se ishte detyruar të përfshihej në këtë aktivitet për të shlyer një borxh prej 32 mijë eurosh, që sipas tij lidhej me sëmundjen e vajzës së tij, ndërsa deklaroi se mendonte se disa prej armëve ishin imitime.
Pas përfundimit të dënimit, ai do të dëbohet nga Britania për herë të tretë dhe do të rikthehet në Shqipëri.

