Partia Demokratike dega Shkodër, përmes deklaratës së Eliona Shkrelit, u ka bërë thirrje anëtarëve të marrin pjesë në referendumin e 23 majit për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
Në deklaratë theksohet se ky proces përfaqëson një moment të rëndësishëm për bashkimin dhe forcimin e opozitës përballë, sipas PD-së, keqqeverisjes, korrupsionit dhe braktisjes së qytetarëve.
Deklarate e PD Shkoder
Eliona Shkreli
Përshëndetje!
Të nderuar demokrate dhe demokratë të Shkodrës!
Më 23 maj, Partia Demokratike zhvillon referendumin për zgjedhjen e Kryetarit të saj, në një nga momentet më të rëndësishme politike për opozitën dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Ky referendum është një proces i brendshëm politik. Eshtë një thirrje për bashkim, rezistencë dhe ringritje përballë një regjimi që për vite me radhë ka varfëruar shqiptarët, ka shkatërruar ekonominë, ka detyruar mijëra të rinj të largohen nga vendi dhe ka kthyer korrupsionin në mënyrë qeverisjeje.
Sot Shqipëria ndodhet përballë një qeverie të konsumuar nga aferat korruptive, nga skandalet me fondet publike, nga kapja e institucioneve dhe nga lidhjet e pushtetit me krimin dhe oligarkinë. Ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me papunësi, çmime të larta, taksa të papërballueshme dhe mungesë shprese, qeveria vazhdon propagandën dhe luksin mbi kurrizin e shqiptarëve.
Shkodra dhe veriu i Shqipërisë janë lënë prej vitesh në harresë, me mungesë investimesh reale, me braktisje të rinisë dhe me një përpjekje të vazhdueshme për të goditur opozitën dhe zërin e lirë.
Pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike ka sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim, për forcim dhe për mobilizim të çdo demokrati. Vetëm një Parti Demokratike e bashkuar mund të përballet me këtë regjim dhe t’u rikthejë qytetarëve dinjitetin, shpresën dhe besimin tek e ardhmja.
Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të bëhen pjesë e këtij procesi me përgjegjësi, qytetari dhe frymë demokratike, duke dëshmuar se PD mbetet forca politike që beson tek vota e lirë dhe tek demokracia e brendshme.
Votimi do të zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Për anëtarët e PD Shkodër, qendrat e votimit do të jenë pranë selisë së PD-së dhe do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në orën 18:00.
Të nderuar demokratë!
23 maji është një mesazh i qartë kundër keqqeverisjes, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.
Është dita për të forcuar Partinë Demokratike si të vetmen alternativë reale qeverisëse dhe për t’ia rikthyer Shqipërinë qytetarëve të saj.
Faleminderit!

