Policia e Durrësit ka arrestuar 9 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Cleaning 4”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në qytetin e Kavajës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në doza, si dhe disa telefona celularë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizuan operacionin policor pas disa muajsh hetime me metoda speciale.
Sipas policisë, hetimet nisën mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për një grup personash që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave në Kavajë.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të personave të përfshirë në këtë rrjet, si dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për 9 nga 12 shtetasit e akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Konkretisht, masa e sigurisë është ekzekutuar për 9 shtetas të moshave 20 deri në 48 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.
Ndërkohë, 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave të qytetit të Kavajës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.

