Lufta/ Reuters: Emiratet e Bashkuara Arabe përshpejtojnë ndërtimin e naftësjellësit të ri

Publikuar me datë:

Emiratet e Bashkuara Arabe do përshpejtojnë ndërtimin e një naftësjellësi të ri me synimin që deri në vitin 2027 të dyfishojnë sasinë e naftës që eksportohet përmes portit të Fujairah dhe të zgjerojnë ndjeshëm aftësinë për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, raporton Reuters.

Sheiku Khaled bin Mohammed bin Zayed urdhëroi Kompaninë Kombëtare të Naftës së Abu Dhabit (ADNOC) të përshpejtojë projektin e naftësjellësit Perëndim-Lindje gjatë një mbledhjeje të komitetit ekzekutiv, njoftoi Zyra e Medias e Abu Dhabit.

Naftësjellësi është aktualisht në ndërtim dhe pritet të vihet në funksion vitin e ardhshëm.

Naftësjellësi ekzistues i naftës bruto i Abu Dhabit (ADCOP), i njohur edhe si naftësjellësi Habshan–Fujairah, ka një kapacitet transporti deri në 1.8 milion fuçi në ditë dhe ka rezultuar jetik për eksportet e vendit.

ADNOC synon të arrijë një kapacitet prej 5 milion fuçish në ditë deri vitin e ardhshëm, më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht për vitin 2030. Në maj të vitit 2024, kompania deklaroi se kapaciteti kishte arritur në 4.85 milion fuçi në ditë, por që atëherë nuk ka publikuar përditësime të reja.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë të vetmit prodhues të Gjirit që disponojnë naftësjellës për eksportimin e naftës bruto jashtë Ngushticës së Hormuzit. Omani ka një vijë të gjatë bregdetare në Gjirin e Omanit, ndërsa Kuvajti, Iraku, Katari dhe Bahreini varen pothuajse tërësisht nga kjo rrugë detare për transportet e tyre.

Naftësjellësi i ri i Emirateve nuk duhet të ngatërrohet me naftësjellësin Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite, një tjetër arterie strategjike për eksportet energjetike. Aramco e rriti kapacitetin e këtij naftësjellësi në 7 milion fuçi në ditë brenda tetë ditësh, duke ruajtur rreth 60% të eksporteve saudite të periudhës para luftës.

Kujtojmë se Emiratet e Bashkuara Arabe u larguan dy javë më parë nga OPEC-u, i cili de facto udhëhiqet nga Arabia Saudite. Në këtë mënyrë, ato çlirohen nga kuotat e prodhimit të naftës dhe, nëse do të jetë e nevojshme, mund të rrisin kapacitetin prodhues deri në 6 milion fuçi në ditë, thekson Reuters.

Emiratet prodhonin rreth 3.4 milion fuçi në ditë në janar, përpara luftës, por prodhimi u ul me më shumë se 50% pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, që nga fillimi i luftës me Iranin, Teherani ka zgjeruar ndjeshëm interpretimin e asaj që konsiderohet pjesë e Ngushticës së Hormuzit dhe, për rrjedhojë, edhe zonën detare mbi të cilën pretendon kontroll.

Më 4 maj, Marina e Gardës Revolucionare Islamike publikoi një hartë që paraqet një zonë të re kontrolli, e cila përfshin një pjesë të madhe të vijës bregdetare të Gjirit të Omanit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ky veprim përkoi me një sulm me dron ndaj një anijeje cisternë të ADNOC dhe bombardimin e zonës naftëmbajtëse të Fujairah, të cilin Ministria e Jashtme e Emirateve e cilësoi si “shkelje të papranueshme dhe shantazh ekonomik”.

Në këtë kontekst, të martën Garda Revolucionare njoftoi një zgjerim të ri, duke e ripërcaktuar ngushticën si një “zonë të gjerë operative” që shtrihet deri në 300 milje (rreth 500 kilometra) në gjerësi.

Teherani ka bllokuar praktikisht ngushticën detare që prej momentit kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt, duke ndërprerë rreth një të pestën e furnizimeve globale me naftë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related