Një 17-vjeçar nga Tirana, i cili u ndëshkua me një gjobë prej 5 milionë lekësh lidhur me protestën e së shtunës, ka dhënë një intervistë ekskluzive për News24.
I pyetur nga gazetari Osman Stafa, i riu tha se nuk ka mundësi të paguajë një shumë të tillë, duke theksuar vështirësitë ekonomike që përballon familja e tij.
Sipas tij, familja mbijeton me të ardhurat prej kempit, ndërsa kushtet ku jetojnë janë shumë të rënda.
I riu tha se nuk do të tërhiqet nga protestat, pavarësisht gjithçkaje, deri në largimin e Edi Ramës.
Protestuesi: Unë isha duke luajtur, nuk kam qenë pjesë e protestës.
Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite. Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë.
Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë. Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Shteti asgjë nuk më jep për vdekjen e nënës, vetëm në shkollë marr një bursë.
Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë.
