Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër prezanton ekspozitën “Marubi: Atelieja e Edukimit”, një përmbledhje e punimeve të realizuara nga fëmijët përgjatë dhjetë viteve të programit edukativ “Edukimi përmes Kulturës”.
Përmes kësaj nisme, arkivi fotografik i Marubit është kthyer në një hapësirë krijimtarie dhe zbulimi për brezat e rinj. Fëmijët kanë pasur mundësinë të eksplorojnë botën e imazhit, të eksperimentojnë me teknika të ndryshme fotografike dhe të shprehin imagjinatën e tyre përmes artit vizual.
Ekspozita sjell një përzgjedhje të këtyre krijimeve, duke treguar se si këndvështrimi i fëmijëve mund t’i japë një dimension të ri trashëgimisë fotografike dhe ta bëjë atë më të afërt me brezat e rinj.
Përmes kësaj ekspozite, Muzeu Marubi vë në pah rëndësinë e edukimit kulturor dhe të nxitjes së krijimtarisë që në moshë të hershme.
