Gjurmët e ADN-së në një shishe spërkatëse pastrimi ndihmuan policinë të zbardhte grabitjet. Mes sendeve të vjedhura kishte bizhuteri luksoze dhe çanta të markave të njohura.
Një shtetas shqiptar është dënuar me 3 vite e 10 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për nëntë vjedhje në banesa të ndryshme në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey. Vlera e sendeve të vjedhura kalon 500 mijë paund.
Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Dionis Doku, i cili pranoi të nëntë akuzat për vjedhje dhe u dënua më 3 nëntor 2026 nga Gjykata e Kurorës në Harrow.
Hetimet e policisë zbuluan se ai kishte hyrë në banesa duke u ngjitur në tuba kullimi, çati dhe ballkone, për të depërtuar përmes dritareve të kateve të sipërme. Në disa raste, pronarët ndodheshin brenda banesave në momentin e vjedhjeve.
Një nga grabitjet më të mëdha ndodhi më 5 nëntor 2025 në Ashford, ku Doku vodhi bizhuteri, para dhe çanta luksoze me vlerë 221,438 paund.
Një shishe pastrimi që e tradhtoi
Detaji që ndihmoi më shumë hetuesit ishte zbulimi i gjurmëve të ADN-së në disa prej vendngjarjeve. Provat u gjetën në një dorezë dollapi, në një dritare dhe në këmbëzën e një shisheje me solucion antibakterial.
Kjo e fundit ishte përdorur nga autori në përpjekje për të pastruar gjurmët, por përfundoi duke u kthyer në një provë të rëndësishme kundër tij.
Krahas analizave forenzike, policia përdori edhe pamjet filmike dhe sistemin e njohjes automatike të targave për të gjurmuar një automjet të lidhur me një prej vjedhjeve.
Hetimet çuan në zonën e Ealing Broadway në Londrën Perëndimore, ku Doku u pikas nga efektivët teksa ndodhej në një stacion autobusi dhe u arrestua.
Viktimat përjetuan frikë dhe pasiguri
Gjatë procesit gjyqësor u dëshmua edhe ndikimi i rëndë emocional që kishin shkaktuar vjedhjet. Disa prej viktimave treguan se kishin humbur ndjenjën e sigurisë në banesat e tyre.
Një prej tyre rrëfeu se dy fëmijët e saj vazhdonin të kishin probleme me gjumin dhe kishin frikë të qëndronin vetëm në dhoma.
Një tjetër viktimë deklaroi se, pas ngjarjes, nuk ndihej më e sigurt në shtëpinë e saj.
Hetimet u drejtuan nga Policia e Kentit, në bashkëpunim me forcat e tjera policore dhe agjencitë përkatëse.
Pas shpalljes së dënimit, oficeri hetues, Leo Graham, vlerësoi bashkëpunimin mes strukturave policore dhe kontributin e viktimave që mbështetën hetimet deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
