Një seri problematikash në administrimin e Ndërkomunales së Bushatit, nga punësimet fiktive te emërimet politike dhe konfliktet e mundshme të interesit, janë evidentuar gjatë verifikimeve në terren në këtë institucion publik.
Nga 13 persona që rezultojnë në listëpagesat e ndërmarrjes, 10 prej tyre nuk janë gjetur në vendin e punës, megjithëse paguhen për 22 ditë pune në muaj. Disa prej tyre janë identifikuar duke ushtruar aktivitete private, ndërsa roja i landfillit ka deklaruar se nuk i njeh dhe nuk i ka parë disa prej personave që figurojnë në listën e punonjësve.
Problemet nisin që në strukturat drejtuese. Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, Kristjan Shkreli, ka kompetencën për emërimin e administratorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Megjithatë, dokumentacioni i administratës ngre pikëpyetje mbi përmbushjen e kritereve profesionale nga disa prej personave të emëruar, si dhe mbi lidhjet e tyre politike dhe konfliktet e mundshme të interesit.
Në krye të Këshillit Mbikëqyrës është Petrit Behari, ish-ushtarak me angazhime në strukturat e Partisë Socialiste, ndërsa administrator i ndërmarrjes është Gjergj Vasija. Në këtë këshill bëjnë pjesë edhe Sokol Shkreli, Fran Ndoja, Simon Dodaj, Edlira Sela dhe Arlinda Ndreca.
Pikëpyetje ngrihen edhe për marrëdhëniet familjare dhe interesat private brenda strukturave të ndërmarrjes. Drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Altina Ndrekaj, rezulton të jetë kunatë e Edlira Selës, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës. Ndërsa ekonomistja Edona Martinaj figuron e lidhur me kompaninë private WTO Albania, e cila operon në landfill dhe merret me riciklimin e mbetjeve. E pyetur për këtë çështje, Martinaj deklaroi se që prej vitit 2023 nuk është më administratore e kompanisë dhe se emri i saj vijon të figurojë për shkak të problemeve teknike në regjistrim.
Verifikimet në terren zbuluan edhe raste të punonjësve që, ndonëse paguhen nga ndërmarrja, ushtrojnë aktivitete të tjera private. Nikolin Kaçi, i punësuar si zjarrfikës, u gjet duke punuar në lavazhin e tij në zonën e Stajkës. Ndërsa Albert Letja, i cili figuron si peshorist në landfill, u kontaktua teksa ishte i angazhuar si DJ në një aktivitet privat.
Letja pranoi se nuk paraqitej çdo ditë në punë, megjithëse paguhej edhe nga bashkia, duke pretenduar se në landfill shkonte rreth tri ose katër herë në javë.
Edhe administratori Gjergj Vasija nuk u gjet gjatë disa prej verifikimeve. Ai u paraqit në landfill vetëm pasi investigimi kishte shkaktuar shqetësim në strukturat e ndërmarrjes.
I pyetur për mungesat e punonjësve, kryebashkiaku Kristjan Shkreli fillimisht deklaroi se nuk kishte dijeni për situatën, por pranoi përgjegjësinë për emërimin e administratorit dhe u zotua se do të verifikonte pretendimet, përfshirë edhe përmes kamerave të sigurisë.
“Gjergji ose të vijë në takim ose do të japë dorëheqjen”, deklaroi Shkreli, duke theksuar se nuk kishte detyrim të mbante në punë persona që nuk kryenin detyrat e tyre.
Pas kësaj deklarate, verifikimet në landfill vijuan në orët e para të mëngjesit. Deri në orën 10:00, më pak se gjysma e stafit ishte paraqitur në punë. Ndërkohë, administratori Vasija mbërriti pasi ishte njoftuar për praninë e ekipit, duke këmbëngulur se paraqitej çdo ditë në detyrë, por duke pranuar se gjatë ditës largohej për takime dhe angazhime të tjera.
Gjetjet ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionon Ndërkomunalja e Bushatit, përgjegjësinë e drejtuesve dhe përdorimin e fondeve publike në një institucion që duhet të mbikëqyrë menaxhimin e mbetjeve për disa bashki të veriut të vendit.
