Dajlanët në Bunë ngrenë shqetësime për biodiversitetin, OMP nis verifikimet në terren

Rikthimi i pinarëve dhe rrjetave fikse të peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe përgjatë lumit Buna ka shtuar shqetësimet për ndikimin e tyre në faunën dhe ekosistemin ujor.

Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Shkodër sqaron se vendosja e këtyre strukturave është e lejuar vetëm në periudha të caktuara dhe duke respektuar rregullat e përcaktuara me ligj.

Ndërkohë, drejtuesi i OMP-së bën të ditur se kanë nisur verifikimet në terren për të kontrolluar nëse strukturat plotësojnë kushtet ligjore dhe standardet teknike. Ato që rezultojnë jashtë kritereve do të identifikohen dhe hiqen.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe aktivistët mjedisorë, të cilët paralajmërojnë se barrierat e vendosura në lumin Buna pengojnë lëvizjen e lirë të peshqve dhe dëmtojnë ekuilibrin natyror të ekosistemit.

Sipas ekspertëve, gjatë 30 viteve të fundit, pasuritë peshkore të Liqenit të Shkodrës dhe Bunës kanë pësuar rënie të ndjeshme, kryesisht për shkak të peshkimit të paligjshëm dhe mbipeshkimit.

Në këto kushte, kontrolli i vazhdueshëm i strukturave të peshkimit dhe ruajtja e korridoreve të migrimit të peshqve konsiderohen masa të domosdoshme për mbrojtjen e biodiversitetit dhe rigjenerimin e faunës ujore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe