Një seri e re kërcënimesh të rreme për bomba në avionë ka shqetësuar autoritetet nëpër Evropë. Vetëm gjatë ditës së premte, më 6 nëntor, në disa shtete u raportuan gjithsej 11 raste të tilla.
Komisioni Evropian është duke ndjekur nga afër zhvillimet, në bashkëpunim të ngushtë me organet përgjegjëse për sigurinë e aviacionit, për të siguruar mbrojtjen e pasagjerëve dhe ekuipazheve, si dhe për të mbajtur në funksionim normal trafikun ajror.
Gjatë një vizite në selinë e EUROCONTROL, Komisioneri Evropian për Transportin dhe Turizmin e Qëndrueshëm, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi se shërbimet përkatëse janë në gatishmëri të plotë. Tzitzikostas shtoi se ishte zhvilluar një takim me Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), ku u analizuan të dhënat më të fundit në lidhje me situatën.
“Jam këtu sot, në EUROCONTROL, ku vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën e krijuar pas incidenteve të përsëritura të kërcënimeve të rreme me bomba në fluturimet evropiane. Deri më tani, sot janë regjistruar 11 incidente të reja në të gjithë Evropën”, deklaroi Tzitzikostas.
Tzitzikostas nënvizoi se bashkëpunimi mes EUROCONTROL, EASA-s, aeroporteve, linjave ajrore dhe autoriteteve të shteteve të ndryshme mbetet i pandërprerë, për të siguruar një reagim të shpejtë ndaj çdo incidenti që mund të cenojë sigurinë e fluturimeve.
Ai gjithashtu vlerësoi qetësinë dhe profesionalizmin e pilotëve dhe ekuipazheve, të trajnuar posaçërisht për të përballuar situata emergjente si këto.
Autoritetet në Evropë janë ende duke analizuar të gjitha informacionet e grumbulluara, ndërkohë që për javën që vjen është caktuar një takim tjetër në Bruksel me praninë e ekspertëve të sigurisë nga shtetet anëtare. Qëllimi i këtij takimi do të jetë rivlerësimi i situatës dhe shqyrtimi i mundësive për përgjigje ndaj kërcënimeve të përsëritura.
“Prioriteti ynë është i qartë: siguria e pasagjerëve dhe funksionimi i qetë i transportit ajror evropian”, përfundoi Tzitzikostas.
