Nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku, u paraqitën në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohen për vrasjen e bashkëshortit dhe babait të tyre, Urim Fiku, 61 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Godvi, në Bulqizë.
Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat, duke qëndruar në versionin fillestar sipas të cilit viktima u sulmua nga një ari. Sipas deklaratave të tyre, 61-vjeçari është kthyer në shtëpi i plagosur dhe i masakruar nga kafsha, ka hyrë në banesë, ka marrë pistoletën dhe “ka qëlluar veten në gjoks”.
Bashkëshortja e viktimës ka lajmëruar urgjencën. Në dëshminë e tij, Gazmir Fiku ka pohuar se nuk ndodhej në shtëpi gjatë incidentit, pasi ishte në punë pranë OSHE Bulqizë, sipas raportimit të gazetarit Enver Doçi.
Familjarët pohojnë se Urim Fiku shpesh vendoste kurthe në pyll për të kapur kafshë të egra, siç janë derrat. Për të përcaktuar të vërtetën e ngjarjes, priten rezultatet e ekspertizës së mjekësisë ligjore që do të dorëzohen nga policia shkencore. Pas përfundimit të seancës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy të akuzuarit.
