Skuadra e Vllaznisë pret Elbasanin në stadiumin “Loro Boriçi” këtë fundjavë, në një duel të rëndësishëm të javës së 11-të të Abissnet Superiore. Në konferencën për shtyp përpara sfidës, trajneri Csaba Laszlo foli hapur për momentin e vështirë që po kalon ekipi dhe nënvizoi domosdoshmërinë që rezultatet të ndryshojnë në të mirë të skuadrës.
“Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, aq më tepër në rastin tonë kur dihet pozita që mbajmë në klasifikim. Duhet t’i marrim të gjitha ndeshjet seriozisht. Nuk ka lidhje cili është kundërshtari ynë. Kam respekt për çdo skuadër por kur luajmë në fushën tonë duhet të luftojmë për tre pikët e plota. Kampionati shqiptar është mjaft i balancuar dhe ekipet janë aty aty”, u shpreh Laszlo.
Përballja me Elbasanin konsiderohet mjaft delikate. Mbrojtësi Erdenis Gurishta, në deklaratat e tij për mediat, nxori në pah vlerësimin që ka për rivalët, duke theksuar edhe respektin ndaj lojtarëve shkodranë që bëjnë pjesë te Elbasani.
Pas një barazimi në transfertë kundër Skënderbeut, kuqeblutë synojnë të rikthehen te suksesi për të përmirësuar pozicionin në tabelë. Ndeshja Vllaznia–Elbasani është planifikuar të zhvillohet të shtunën, në orën 18:30, në “Loro Boriçi”.
