Një projekt i ri infrastrukture pritet të përmirësojë lidhjen rrugore në Dinoshë të Tuzit, ku është vendosur gurthemeli i urës së re. Investimi parashikohet të arrijë në afro 1 milion euro.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, kryetari i Kuvendit të Komunës, Fadil Kajoshaj, nënkryetari Fisnik Gjokaj dhe kreu i Bashkësisë Lokale të Dinoshës, Naim Gjokaj.
Projekti përfshin hartimin dhe rishikimin teknik të tij, ndërtimin e urës dhe mbikëqyrjen e punimeve.
Sipas kryetarit Lindon Gjelaj, ura e re do të lehtësojë qarkullimin e përditshëm dhe do të ofrojë kushte më të sigurta kalimi për banorët e Dinoshës dhe të zonave të tjera të Malësisë.
Gjelaj e cilësoi këtë investim si një tjetër projekt të Forumit Shqiptar që po kalon nga premtimi në realizim.

