Efektivët e Policisë Alpine kanë zhvilluar një demonstrim të aftësive operacionale në malin e Taraboshit, ku kanë simuluar ndërhyrje në terrene të vështira dhe situata që kërkojnë operacione kërkim-shpëtimi.
Stërvitja është ndjekur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili theksoi se krijimi i kësaj strukture ishte një domosdoshmëri për Shkodrën, për shkak të shtrirjes së madhe të zonave malore dhe fluksit të turistëve që vizitojnë Alpet shqiptare.
Sipas Hitës, gjatë këtij viti pjesa më e madhe e ndërhyrjeve të forcave alpine është përqendruar në zonat malore të Shkodrës.
“Gjatë këtij viti, forcat alpine kanë bërë ndërhyrje më së shumti në zonat malore të rrethit Shkodër, ku, përveç veçorive turistike që ka ky qytet, ka lindur domosdoshmërisht nevoja për këtë forcë”, u shpreh ai.
Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi performancën e efektivëve gjatë demonstrimit në Tarabosh, duke e cilësuar atë një provë të aftësive për të përballuar situata reale emergjente. Ai kërkoi vijimin e stërvitjeve dhe rritjen e gatishmërisë, veçanërisht në prag të sezonit të dimrit, kur shtohen rreziqet në zonat malore dhe nevoja për ndërhyrje në rast përmbytjesh.
Hita garantoi gjithashtu mbështetje për Policinë Alpine në drejtim të burimeve njerëzore, pajisjeve dhe mjeteve teknike, me qëllim forcimin e kapaciteteve të saj.
Ndërkohë, shefi i Seksionit të Policisë Alpine, komisar Ardian Zhuraj, bëri të ditur se gjatë këtij viti efektivët janë angazhuar në 23 raste në mbështetje të Emergjencave Civile në qarqe të ndryshme të vendit. Dhjetë prej këtyre angazhimeve kanë qenë operacione kërkim-shpëtimi.
Nga ana tjetër, kryekomisari Arben Curri, shef i Njësisë së Forcës Kombëtare të Sigurisë në Shkodër, theksoi se efektivët do të vijojnë angazhimin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, luftën kundër kultivimit të kanabisit, kapjen e personave në kërkim dhe mbështetjen e Policisë vendore.

