Prej kohësh, banorët e Boriçit të Vogël në Malësinë e Madhe po përballen me vështirësi të shumta për furnizimin me ujë të pijshëm. Ata tregojnë se në çezmat e banesave uji mbërrin vetëm një herë në 3-4 ditë, ndërsa kur ka furnizim, cilësia e tij lë shumë për të dëshiruar, pasi shpeshherë është i papastër.
Kjo situatë i ka detyruar familjet të sigurojnë ujë përmes blerjes, duke shtuar shpenzimet e përditshme. Ajo që i revolton më shumë është fakti se, megjithëse shërbimi mungon ose është jashtë standardeve, faturat vijojnë t’i paguajnë rregullisht.
Banorët thonë se kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e furnizimit me ujë.
