Ekspertët e xhenios janë përfshirë në misionin e kërkim-shpëtimit në pallatin e dëmtuar nga shpërthimi në Elbasan. Roli i tyre është të mbështesin ekipet e emergjencës që po punojnë mes rrënojave, ndërsa operacioni i kërkimit për 69-vjeçarin Hamit Ibro, i cili vijon të jetë i zhdukur, mbetet prioritet.
Aktualisht, në vendngjarje janë 16 persona të ndarë në dy ekipe kërkim-shpëtimi, të pajisur me mjetet e posaçme që u nevojiten për të ndërhyrë në kushte të vështira dhe të pasigurta.
Pallati është pothuajse plotësisht i shkatërruar, çka e bën operacionin shumë të rrezikshëm për shkak të rrezikut të shembjes së mëtejshme të strukturës. Sipas ekspertëve, kontrollet me kamera termike tregojnë se mundësitë që 69-vjeçari të jetë ende gjallë janë jashtëzakonisht të vogla.
Megjithatë, kërkimet nuk do të ndalen derisa të përfundojnë të gjitha procedurat. Aktualisht, ndërhyrjet janë përqendruar te një zonë specifike e rrënojave, të identifikuar nga dëshmitë e familjarëve dhe nga të dhënat e ofruara nga autoritetet vendore, aty ku mendohet se ndodhej 69-vjeçari në çastin e shpërthimit.

