Pas shoqërimit në polici, lirohen Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, aktivistët që refuzuan gjobat e vendosura ndaj tyre

Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të njohur si aktivistë, u lanë të lirë mbrëmjen e së mërkurës, pasi u morën me forcë nga policia gjatë protestës së studentëve dhe qytetarëve të mbajtur përpara Kryeministrisë.

Policia ndërhyri dhe i shoqëroi pas një konflikti, duke u vendosur gjoba për organizimin e një tubimi të konsideruar të paligjshëm. Të dy aktivistët nuk pranuan të marrin fletët e gjobave dhe reaguan ndaj ndërhyrjes së policisë.

Incidenti shkaktoi tensione përpara godinës së Kryeministrisë. Protestuesit kundërshtuan shoqërimin e tyre, ndërsa disa vajza formuan një zinxhir njerëzor për të bllokuar furgonin e policisë dhe për të penguar largimin e aktivistëve.

Gjatë përplasjeve, forcat e rendit përdorën spraj me piper. Si pasojë, disa nga vajzat dhe protestueset pësuan probleme shëndetësore dhe iu desh ndihmë mjekësore.

Pasi Goxhaj dhe Lika u shoqëruan, turma e studentëve dhe qytetarëve transferoi protestën përpara Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Protestuesit deklaruan se kishin njoftuar policinë paraprakisht për mbajtjen e tubimit dhe se manifestimi i tyre ishte i ligjshëm.

Pas disa orësh ndalimi, të dy aktivistët u liruan. Nuk është bërë i ditur ende nëse ndaj tyre do të ketë masa ose procedura të mëtejshme lidhur me incidentin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe