Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë kapur dhe vënë në pranga nga Policia e Vlorës, në kuadër të tre operacioneve të zhvilluara gjatë 24 orëve të fundit.
Mes të arrestuarve është një 47-vjeçar, i dënuar me 20 vite burgim për një vrasje të kryer në Itali në vitin 2000. Bëhet fjalë për Maringlen Dogën, banues në Vlorë, i cili u lokalizua në lagjen “Pavarësia 3”. Sipas policisë, ai ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar në Ravena, pas një konflikti për motive të dobëta. Gjykata shqiptare ka njohur vendimin e autoriteteve italiane dhe e ka dënuar me 20 vite burg.
Në pranga ka rënë edhe një 49-vjeçar me inicialet Y. D., banues në Bishan, i akuzuar për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij më 31 tetor 2026, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 12 kilogramë Cannabis Sativa dhe 6 bimë të dyshuara narkotike.
Ndërkohë, operacioni i tretë çoi në kapjen e një 50-vjeçari me inicialet A. K., banues në Vlorë, i dyshuar për kryerjen e pesë vjedhjeve gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celularë në subjekte dhe ndaj shtetasve të ndryshëm në qytetin e Vlorës.
Policia bën me dije se materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

