“Do të të kalb në burg”/ Kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër: Askush nuk ka të drejtë ta thotë këtë fjali!

Kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër ka reaguar pas deklaratës së pretenduar ndaj Veliajt “Do të të kalb në burg”, duke theksuar se në një shtet ligjor askush, pavarësisht funksionit dhe pushtetit që ka, nuk mund të kërcënojë një qytetar me burgim. Ai nënvizon se liria e një individi vendoset vetëm nga gjykata, përmes një procesi të rregullt ligjor dhe mbi bazën e provave. Avokati thekson se, pavarësisht nëse fjalia është thënë apo jo, çështja ngre pikëpyetje serioze për besimin te drejtësia.

Reagimi i plote

Askush nuk mund ta thotë këtë fjalë

“Do të të kalb në burg.”

Në një shtet ligjor, askush nuk ka të drejtë ta thotë këtë fjali. As kryeministri, as ministri, as kushdo tjetër, sado pushtet që të ketë. Burgu nuk është pronë e askujt që ta premtojë apo të kërcënojë me të. Heqja e lirisë së një individi vendoset vetëm nga një gjykatë e caktuar me ligj, duke zbatuar me përpikëri një proces të rregullt ligjor dhe mbi bazën e provave.

Nuk e di nëse kjo fjali është thënë apo jo me të vërtetë, pasi ka dy versione që e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk më takon të zgjedh mes tyre. Por pikërisht për këtë arsye çështja është e rëndë në të dyja rastet.

Nëse është thënë, kemi të bëjmë me një ide të rrezikshme për të gjithë strukturën shtetformuese: që pushteti politik mund të vendosë se kush mbetet në burg dhe për sa kohë. Kjo e kthen drejtësinë në mjet ndëshkimi dhe çdo qytetar në peng të vullnetit të dikujt. Na kthen te praktika që besonim se i kishim lënë pas bashkë me diktaturën.

Nëse nuk është thënë, dhe gjithçka është një strategji e mirëmenduar për të paraqitur nesër procesin penal në fjalë si persekutim politik, edhe kjo e dëmton rëndë drejtësinë. E dëmton në heshtje, por jo më pak, sepse e bën të pabesueshme në sytë e qytetarëve dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Në të dyja rastet humbet e njëjta gjë: besimi se në Shqipëri burgun dhe lirinë i vendos ligji, jo pushteti dhe as loja politike.

Si avokat, kjo është e vetmja anë që di të mbaj dhe që do ta mbaj gjithmonë: ligji dhe e drejta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe