Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy persona nën dyshime për krime lufte.
Rasti ka të bëjë me Masakrën e Padalishtës, që ka ndodhur më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut.
Autoritetet thanë se dy të dyshuarit u lokalizuan më 29 tetor dhe Z.B. u arrestua në fshatin Osjan, ndërkaq G.B. në Cerkolez të komunës së Istogut.
Hetimet për këtë masakër, sipas autoriteteve po zhvillohen për një kohë të gjatë, teksa nuk u dhanë detaje të tjera për rastin.
Në Masakrën e Pedalishtës ishin vrarë 19 anëtarë të familjes Imeraj. Mosha e viktimave ishte nga dy deri në 76 vjeç.
Së voni, autoritetet kanë iniciuar një sërë rastesh që kanë të bëjnë për krime lufte kundër popullatës civile dhe kanë ngritur akuza ndaj të dyshuarve, përfshirë edhe akuza në mungesë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./REL

