Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi sot se Rusia po mban kontakte me miliarderin amerikan Elon Musk për çështjet që lidhen me konstelacionet satelitore në orbitën e ulët të Tokës – rrjete prej shumë satelitësh që funksionojnë në mënyrë të koordinuar në orbitë, pavarësisht sfidave politike mes vendeve.
“Elon Musk është një gjeni industrial, ai ka më shumë se 5,000 satelitë në orbitë. Ne jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë amerikanë, përfshirë z. Musk”, deklaroi Putin gjatë një vizite në një ekspozitë paralelisht me samitin “Rusi-Afrikë”, referon Sputnik.
Putin vuri në dukje se vendosja e një sateliti në hapësirë “kërkon rend dhe disiplinë”.
“Si ne ashtu edhe partnerët tanë amerikanë i kushtojmë shumë rëndësi kësaj dhe, pavarësisht çështjeve politike, bashkëpunojmë ngushtë në këtë fushë”, shtoi presidenti rus.
Ai theksoi se ekziston bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e hapësirës, sidomos me drejtorin e “Starlink”, Elon Musk.
Putin gjithashtu u shpreh se sistemi rus i satelitëve “Rasvet”, i cili ka karakteristika të ngjashme me “Starlink”, është ende në fazat e hershme të zhvillimit, duke garantuar një cilësi të lartë, por sipas tij tani është thelbësore të shtohet numri i satelitëve të lëshuar.
Sipas tij, aktualisht rreth 30 satelitë të këtij sistemi gjenden në orbitë.
“Ky është vetëm hapi ynë i parë. Por jemi krenarë që e kemi filluar këtë punë dhe që e kemi filluar në mënyrë të pavarur. Ne kemi bërë vetëm hapin e parë. Por është e rëndësishme që është bërë. Cilësia është aty. Tani është e rëndësishme të kalojmë nga cilësia në sasi”, tha Putin.

