Aulon Kalaja, kryetari i Partisë Demokratike në Krujë, ka reaguar me tone të forta kundrejt dhunës së ushtruar ndaj protestuesve, duke përdorur ironi për të sfiduar pretendimet për ndërhyrje të agjenturave të huaja dhe duke vënë në dyshim mënyrën sesi përshkruhet situata aktuale në vend.
Kalaja filloi bisedën duke folur mbi shëndetin e djalit të tij. Ai u shpreh se djali gëzon shëndet të mirë falë ndihmës së shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve. Mirënjohja e tij shkoi për të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes gjatë kësaj periudhe, mes të cilëve ishte edhe stafi i News24 dhe personalitete të tjera, emrat e të cilëve tha se nuk është i autorizuar t’i zbulojë publikisht.
Më tej, ai iu referua protestave, duke zgjedhur ironinë për të kundërshtuar narrativat që, sipas tij, shmangin realitetin dhe nuk reflektojnë ngjarjet që po ndodhin në terren.
“Por kam vetëm një koment të shkurtër për atë që po ndodh me protestën. Nuk është çudi, për shembull, Nisida, që ne nesër të dëgjojmë se protesta nuk është e vërtetë, por është ndërtuar me inteligjencë artificiale. Nuk është çudi që të dëgjojmë po ashtu se policët nuk janë policë shqiptarë, nuk janë njerëz. Ata janë alienë të zbritur nga planeti Mars, të cilët i kanë sjellë agjenturat e huaja”, u shpreh ai.
Përmes të njëjtës dozë ironie, Kalaja foli edhe rreth përdorimit të plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe ujit kundër pjesëmarrësve të protestës.
“Plumbat e gomës nuk janë plumba të vërtetë. Ata janë një batalion mushkonjash të ardhura nga Irani, që pickojnë protestuesit dhe u hapin plagë. Edhe gazi lotsjellës nuk është i vërtetë. Ai është një iluzion optik, që përfaqëson purot kubaneze të shërbimeve kubane që kanë ardhur në Shqipëri. Edhe uji është për freski, për t’ua hedhur protestuesve”, deklaroi Kalaja.
Sipas tij, ky lloj komunikimi ironik synon të vërë në dukje atë që ai e cilëson si shkëputje nga realiteti e komentuesve të ngjarjeve të fundit.
“Pra, këta kanë humbur lidhjen me realitetin. Kjo është ideja ime. Të më ndjesh për figuracionet që përdora, por kjo është e vërteta”, tha ai.
Në mbyllje, Kalaja u ndal te dhuna ndaj të rinjve, duke theksuar tronditjen e përjetuar nga pamjet dhe duke apeluar qytetarët të vizitojnë Spitalin Ushtarak për të parë nga afër pasojat e dhunës.
“Njerëz që rrahin kalamaj, ju ftoj të shkoni te Spitali Ushtarak. Jam traumatizuar”, përfundoi Kalaja.

