Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në afërsi të Konispolit, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht në Itali. Operacioni policor u kodua “Tranzit”.
Sipas Policisë së Vlorës, 30 vjeçari nga Lushnja i arrestuar në operacionin “Tranzit” është Vandam Dedei., banues në Lushnjë. Ai u ndalua teksa transportonte me një furgon 11 shtetasit e huaj, të cilët sapo kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar përmes kufirit tokësor me Greqinë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi i furgonit merrte 2,500 euro për person për transportimin e emigrantëve, me destinacion të synuar Italinë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 11 emigrantët u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, ndërsa furgoni i përdorur për transportin e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Operacioni “Tranzit” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

