Gjatë protestës së zhvilluar sot përpara Kryeministrisë në Tiranë, është shënuar një incident mes gazetarëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Ndërsa raportonin zhvillimet e tubimit në terren, përfaqësuesit e mediave u përfshinë në një përplasje verbale me forcat e rendit.
Konflikti u nxit në çastin kur policia kërkoi që ekipet e xhirimit të largoheshin nga zona përpara ndërtesës së qeverisë, pikërisht aty ku po vijonte protesta e studentëve.
Gazetarët kundërshtuan vendimin e efektivëve, duke kërkuar shpjegime rreth largimit të mediave dhe përcaktimit të vijave të perimetrit të sigurisë.
“Pse duhet të largohen mediat nga Kryeministria? Ku është perimetri i sigurisë? Kush është rreziku që na kanoset?”, dëgjohet të thone gazetaret gjatë debatit me policët.
Ngjarja ndodhi në një moment kur policia kishte ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit dhe kishte filluar të shoqëronte disa prej tyre, pas episodeve të tensionuara që u regjistruan gjatë grumbullimit.
Kërkesa për largimin e grupeve të xhirimit ka nxitur shqetësime mbi aftësinë e gazetarëve për të monitoruar dhe dokumentuar në mënyrë të pavarur veprimet e policisë gjatë protestës.

