Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se transportonte kokainë nga Tirana drejt Mamurrasit, me qëllim shitjen e saj.
Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Destinacioni”, policia ndaloi taksinë me të cilën udhëtonte Salvador Sula, në kryqëzimin e Fushë-Mamurrasit, përgjatë aksit të vjetër Mamurras–Thumanë.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 126 doza të dyshuara kokaine, me peshë totale rreth 109 gramë.
Sipas policisë, 31-vjeçari, i lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë, u vu në pranga në flagrancë, pas informacioneve të siguruara për lëvizjen e tij drejt Mamurrasit.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

