Antifa shqiptare në fokusin e hetimeve amerikane

Publikuar me datë:

Investigimi i Fox News për 101 organizata që veprojnë si celula koordinimi për protesta të dhunshme në disa shtete europiane, përfshirë Francën, Italinë, Belgjikën, por edhe Shqipërinë, ka sjellë në vëmendje edhe Internacionalen Progresiste, rrjetin ndërkombëtar të së majtës ku bën pjesë Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit.

Në një tjetër linjë investigimi, mediat amerikane kanë zbuluar detaje mbi rrjetin financiar të multimilionerit Neville Roy Singham, i cili ka mbështetur organizata politike dhe media në disa vende dhe po hetohet nga autoritetet amerikane për shkelje të mundshme financiare dhe të ligjit për agjentët e huaj. Por çfarë lidhjesh dokumentohen mes këtyre strukturave dhe Shqipërisë?

Një investigim i publikuar më 20 tetor 2026 nga Fox News Digital pretendon se ka identifikuar 101 organizata në 13 vende, të cilat janë të përfshira në organizimin, koordinimin ose promovimin e protestave të dhunshme dhe kaosit në Europë.

Një nga emrat që përmenden në investigim është Internacionalja Progresiste, një rrjet ndërkombëtar i së majtës që bashkon parti politike, organizata dhe aktivistë nga vende të ndryshme.

Sipas Fox News, Internacionalja Progresiste ka promovuar mobilizimet në Francë dhe i ka lidhur ato me protesta e lëvizje në vende të tjera, përfshirë Spanjën, Indinë dhe Shqipërinë. Forca politike në Shqipëri e lidhur me Internacionalen Progresiste është pikërisht Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit.

Anëtarësia e Lëvizjes Bashkë në Internacionalen Progresiste nuk është një pretendim i mbështetur vetëm në raportimet e mediave. Ajo konfirmohet edhe në faqen zyrtare të vetë Internacionales Progresiste, ku Lëvizja Bashkë paraqitet si një nga organizatat anëtare të rrjetit ndërkombëtar.

Në përshkrimin e saj, Internacionalja Progresiste e identifikon Lëvizjen Bashkë si një forcë politike shqiptare të së majtës, të krijuar në dhjetor të vitit 2022, pas aktivitetit të mëparshëm të Organizatës Politike në çështjet e punëtorëve, studentëve dhe aktivizmit shoqëror.

Në një komunikim të publikuar më 16 tetor 2026, Internacionalja Progresiste e përmendi drejtpërdrejt Shqipërinë dhe Lëvizjen Bashkë, duke e lidhur aktivitetin e saj me protestat kundër projekteve të zhvillimit luksoz në bregdet dhe me kundërshtimin e politikave që, sipas organizatës, favorizojnë interesat oligarkike.

Rrjeti ndërkombëtar deklaroi se punon për të mbështetur dhe lidhur lëvizje të punëtorëve, organizata të qiramarrësve, grupe studentore dhe parti politike që synojnë ndryshime shoqërore. Kështu, lidhja institucionale mes Internacionales Progresiste dhe Lëvizjes Bashkë është e dokumentuar nga vetë rrjeti ndërkombëtar.

Arlind Qorri, si kryetar i Lëvizjes Bashkë, drejton forcën politike shqiptare që është pjesë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.

Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është se çfarë roli luajnë këto struktura në përhapjen e kauzave politike përtej kufijve kombëtarë dhe si ndërthuren veprimtaritë e tyre me rrjetet e tjera të aktivizmit ndërkombëtar.

Paralelisht me investigimin mbi rrjetet e protestave, vëmendja e mediave amerikane është përqendruar te Neville Roy Singham, një sipërmarrës amerikan i cili ka financuar organizata politike, media dhe struktura jofitimprurëse në disa vende. Milioneri amerikan Neville Roy Singham, me prindër nga Sri Lanka, jeton tashmë në Shangai pas shitjes së kompanisë së tij të konsulencës për softuerë, Thoughtworks, një kompani të cilën e zotëroi për 25 vite, përpara se ta shiste në vitin 2017.

Sipas investigimit të The New York Times, Singham ka financuar një rrjet organizatash jofitimprurëse, mediash dhe grupesh politike përmes donacioneve dhe strukturave të ndërmjetme financiare. Disa prej këtyre organizatave promovojnë qëndrime të afërta me interesat e qeverisë kineze.

Singham i ka mohuar pretendimet se vepron nën udhëzimet e Pekinit, por diçka e tillë nuk i ka lënë autoritetet amerikane në gjumë. Në korrik të vitit 2026, mediat amerikane kanë zbuluar se një juri e madhe federale në Nju-Jork po hetonte Singhamin për shkelje të mundshme të ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj, si dhe për çështje të mundshme tatimore dhe financiare.

Paralelisht, një komision i Kongresit amerikan ka kërkuar dokumente financiare nga organizata të lidhura me rrjetin e tij. Sipas investigimeve të NYT dhe Fox News, Singham financon organizata që promovojnë ide marksiste, socialiste dhe antiimperialiste, ndërsa disa prej tyre publikojnë përmbajtje që përputhet me interesat politike të Kinës.

ABC News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related